Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni do të udhëtojë sot në Libi për të përfunduar një marrëveshje për zgjerimin e furnizimeve me naftë dhe gaz, sipas burimeve të Ministrisë së Jashtme libiane. Kryeministrja Meloni do të shoqërohet nga një delegacion i lartë italian, ku janë ministri i Jashtëm, Antonio Tajani dhe ai i Brendshëm, Matteo Piantedosi. “Të dyja palët do të diskutojnë një kontratë të mundshme midis kompanisë italiane të energjisë “Eni” dhe Korporatës Kombëtare të Naftës (NOC) në Libi”, sipas burimeve. E përditshmja italiane “La Repubblica” raportoi se marrëveshja parashikonte dyfishimin e dërgesave të ardhshme në Itali. Fundjavën e kaluar, Italia nënshkroi një marrëveshje partneriteti me Algjerinë për të zgjeruar alternativat për sigurimin e naftës dhe gazit. “Meloni do të takohet gjithashtu me kryeministrin Abdul Hamid Dbeibeh”, sipas “La Repubblica”. ATSH