Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore (INPS) ka lëshuar udhëzimet për aplikimin për bonusin mujor prej 40 eurosh, i destinuar për nënat që punojnë me dy ose më shumë fëmijë.
Aplikimet duhet të dorëzohen brenda 40 ditëve nga publikimi i qarkores së lëshuar nga INPS, deri në javën e parë të dhjetorit. Punonjëset që plotësojnë kërkesat pas kësaj date mund të dorëzojnë aplikimin e tyre deri më 31 janar 2026.
INPS tha se bonusi është i disponueshëm për nënat me dy fëmijë derisa fëmija i dytë të mbushë 10 vjeç, dhe për nënat me tre ose më shumë fëmijë derisa fëmija më i vogël të mbushë 18 vjeç.
Bonusin e përfitojnë gratë e punësuara në shtet ose privat, duke përjashtuar punonjëset e vetëpunësuara të regjistruara në skemat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore.
Të ardhurat vjetore të fituara nuk duhet të kalojnë 40,000 euro. Shuma mujore prej 40 eurosh, e përjashtuar nga taksat do të paguhet nga INPS në një pagesë të vetme në dhjetor 2025 (ose deri në shkurt 2026), duke mbuluar deri në 12 pagesa mujore për një maksimum prej 480 eurosh në vit.
Ndërkohë, ndër masat e parashikuara në “Buxhetin 2026”, i cili aktualisht është duke u shqyrtuar nga Senati, është rritja e mbështetjes për vitin 2026, nga 40 në 60 euro në muaj.





