Sipas disa statistikave të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik, bazuar edhe në raportet e fundit të OKB-së, rreth 600 milionë njerëz sëmuren çdo vit nga sëmundjet që transmetohen përmes ushqimit.
Në njoftimin e ISSH-së, thuhet se mikroorganizmat nuk janë të qëndrueshëm, ato lëvizin dhe shumohen, ndaj duhet t’i njohim dhe t’i kontrollojmë me kujdes.
“Kostoja ekonomike e sëmundjeve ushqimore në vendet me të ardhura të ulëta tejkalon 110 miliardë dollarë në vit! Kimikatet në ushqim mund të kenë efekte afatgjata në shëndet. Shkenca ofron metoda për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen tonë”, thuhet në postimin në rrjetet sociale.
ISSH nënvizon faktin se bakteret rezistente ndaj antibiotikëve janë një kërcënim real, ndërsa përdorimi i gabuar në bujqësi dhe blegtori mund të ndikojë zinxhirin ushqimor.
ISSH bën thirrje për të shmangur zonat e rrezikshme, si edhe për të ruajtur ushqimet nën 5°C ose t’i gatuani ato në mbi 70°C për të parandaluar shumimin e baktereve.
Në këtë 7 Qershor, le të ndërgjegjësohemi dhe të edukohemi për një ushqim më të sigurt për të gjithë!
Vitin e kaluar, slogani i 7 qershorit ishte “Siguria e ushqimit, çështje e të gjithëve” dhe fushata promovoi ndërgjegjësimin global për sigurinë ushqimore duke u bërë thirrje vendeve dhe vendimmarrësve, sektorit privat, shoqërisë civile, organizatave të OKB-së dhe publikut të gjerë të ndërmarrin veprime.