ISHMT shton kontrollet për garantimin e sigurisë së produkteve

0
11

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut mbetet i angazhuar për garantimin e sigurisë së produkteve për konsumatorët dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Kryeinspektori i ISHMT-s, Gazmend Osmani bëri të ditur se krahas informimit të konsumatorëve mbi të drejtat e tyre për të pasur produkte, pajisje apo instalime të sigurta, ISHMT po punon edhe për rritjen e ndërgjegjësimit të operatorëve ekonomikë mbi kriteret ligjore që duhet të zbatojnë në fushën e sigurisë së produkteve joushqimore, pronësisë intelektuale si dhe të konsumatorëve mbi të drejtat e tyre. ISHMT ka realizuar përgjatë kasaj jave 65 inspektime për sigurinë e produkteve elektrike, për sigurinë e ashensorëve në përdorim, për sigurinë e lodrave, për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, për metrologjinë dhe për mbrojtjen e konsumatorit. Për sigurinë e ashensorëve, trupat inspektuese të ISHMT-së kryen gjatë kësaj jave 11 inspektime. Për të siguruar se në treg po ofrohen lodra të sigurta për fëmijët janë realizuar gjatë kësaj jave 8 inspektime. Për metrologjinë u kryen 29 inpektime në operatorë të ndryshëm ekonomik, ndërsa për sigurinë e produkteve elektrike u kryen 5 inspektime. Inspektorët e ISHMT-së kryen po ashtu 5 inspektime për lejen apo autorizimin nga autori apo mbajtësi i së drejtës mbi riprodhimin dhe shpërndarjen në zbatim të ligjit “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, dhe 5 inspektime në lidhje me kontratat apo autorizimet për përdoruesit e programeve kompjuterike, në zbatim të po këtij ligji. Njëkohësisht u kryen 2 inspektime për të siguruar zbatimin e ligjit për mbrojtjen e pronësisë industriale. Edhe kontrollet për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për ndalimin e qeseve plastike mbajtëse nën parametrat dhe dimensionet që parashikon ligji, si dhe për ndalimin e qeseve oxo-biodegradueshme dhe oxodegradueshme kanë vijuar në shumë operatorë ekonomikë. ATA