Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Risena Xhaja inspektuan sot nga afër punimet.

“Janë rreth 327 makina, automjete, motomjete që janë marrë nga këtu dhe janë grumbulluar tek një pikë në Porto Romano. Pjesa tjetër që është e skrapit, janë makina të bllokuara para 12 viteve, e më tutje”, tha Xhaja.

Kjo hapësirë e mbuluar nga mjete dhe tonelata hekurishte të lëna prej 30 vitesh, është çliruar plotësisht duke u kthyer në funksion për publikun, me investimin e ri që pritet të nisë së shpejti mes bashkisë Shkodër dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Sipas njoftimit të bashkisë Shkodër, janë tre hektarë sipërfaqe që do të jenë në funksion të banorëve të Shkodrës me këndin e ri të lojërave, duke e kthyer këtë zonë në një hapësirë të dedikuar fëmijëve dhe prindërve.

Për kryebashkiakun Benet Beci, lirimi i kësaj hapësire është një hap pozitiv për nisjen e punës në transformimin e kësaj zone në një kënd lojërash për fëmijë dhe një hapësirë rekreacioni për qytetin.

“Ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shkodrën që ka qenë peng i bllokimit. Dhe vizitualisht është e papranueshme për qytetin. Janë makina të ndryshkura, në gati tre hektarë sipërfaqe të papërdorur. Për ne është një dhuratë rikthimi i kësaj hapësire publike në një park lojërash”, pohoi Beci.