Irani deri më tani nuk ka zbatuar mjaftueshëm angazhimet për më shumë transparencë në lidhje me programin e tij bërthamor, tha sot kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, në Vjenë. Në mars, Grossi dhe lidershipi në Teheran ranë dakord për një mbikëqyrje të shtuar të objekteve bërthamore dhe hetime në vendet e mëparshme sekrete bërthamore në Iran. “Që atëherë, vetëm një pjesë e asaj që ishte parashikuar është zbatuar”, tha Grossi gjatë një takimi të bordit të IAEA. Shefi i IAEA-s tha se ishin instaluar disa kamera dhe pajisje vëzhgimi. “Është bërë njëfarë progresi, por jo aq sa shpresonim”, tha ai. “Ajo që duhet të ndodhë tani është një proces i qëndrueshëm dhe i pandërprerë që çon në përmbushjen e të gjitha angazhimeve […] pa vonesa të mëtejshme”, tha ai. Grossi theksoi se, në kundërshtim me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, Irani tashmë ka grumbulluar mbi 100 kilogramë uranium të pasuruar me një shkallë të lartë pastërtie deri në 60%. Sipas ekspertëve, 50 kilogramë janë të mjaftueshme për të krijuar një armë bërthamore. Teherani ka disa vite që ka shpërfillur angazhimet e tij për të kufizuar programin e tij bërthamor sipas një marrëveshjeje të vitit 2015, pas vendimit të njëanshëm të qeverisë amerikane të udhëhequr nga Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja në vitin 2018. Irani ka theksuar vazhdimisht se po ndjek programin e tij bërthamor vetëm për qëllime civile duke kundërshtuar pretendimet se po kërkon të ndërtojë armë bërthamore. atsh
Irani të zbatojë të gjitha angazhimet e marrëveshjes bërthamore
RELATED ARTICLES