Shkëmbimi i të burgosurve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili është planifikuar prej muajsh, do të bëhet të hënën e ardhshme, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane. ”Pesë shtetas amerikanë do të kthehen në Shtetet e Bashkuara. Në këmbim, Shtetet e Bashkuara do të falin pesë shtetas iranianë të cilët janë dënuar ose akuzuar në vend”, theksoi zëdhënësi Nasser Kanaani. Prej disa javësh dihet se SHBA dhe Irani po negocionin një shkëmbim të burgosurish. Në gusht, gjyqësori iranian liroi disa shtetas amerikanë nga paraburgimi dhe i vendosi në arrest shtëpiak. Në këmbim, Irani kishte kërkuar rreth 6 miliardë dollarë, të cilat ishin ngrirë nga Koreja e Jugut për shkak të sanksioneve ndërkombëtare.