Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi tha se vendi i tij ishte i hapur për negociata indirekte me Shtetet e Bashkuara, pas një ultimatumi të lëshuar nga presidenti Donald Trump për një marrëveshje të re bërthamore.

“Rruga është e hapur për negociata indirekte”, tha Araghchi, ndërsa refuzoi negociatat e drejtpërdrejta me Uashingtonin “derisa qasja e palës tjetër ndaj Republikës Islamike të ndryshojë”.

Që nga mandati i tij i parë (2017-2021), Donald Trump ka ndjekur një politikë të të ashtuquajturit “presion maksimal” ndaj Teheranit me sanksione të shumta, veçanërisht kundër naftës iraniane.

Në vitin 2018, Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje ndërkombëtare bërthamore me Iranin dhe rivendosi sanksionet kundër Iranit.

Marrëveshja e arritur në vitin 2015 parashikonte heqjen e sanksioneve të caktuara në këmbim të një kuadri për aktivitetet bërthamore iraniane.

Në hakmarrje për tërheqjen e SHBA-së dhe kthimin e sanksioneve amerikane, Teherani, i cili sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) po respektonte angazhimet e tij, që atëherë është distancuar nga marrëveshja.

Vendet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë dyshuar për Teheranin se dëshiron të marrë armë bërthamore për dekada. Irani i hedh poshtë këto akuza dhe thotë se aktivitetet e tij bërthamore ekzistojnë vetëm për qëllime civile, duke përfshirë energjinë.

Irani është i vetmi shtet pa armë bërthamor që pasuron uraniumin në një nivel të lartë (60%), ndërkohë që vazhdon të grumbullojë rezerva të mëdha materialesh të zbërthyeshme, sipas IAEA.

Një prag prej 90% lejon prodhimin e një arme atomike, sipas mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së.

Një muaj e gjysmë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump njoftoi më 7 mars se i kishte shkruar Iranit për të propozuar negociata që synonin parandalimin e Teheranit nga zhvillimi i armëve bërthamore, duke vënë në dukje kërcënimin e ndërhyrjes ushtarake