Udhëheqësi suprem i Iranit tha se kërcënimet e SHBA-së kundër vendit të tij do të dështojnë, pasi presidenti Trump paralajmëroi për veprime të mundshme ushtarake kundër Republikës Islamike nëse refuzonte të negocionte një marrëveshje të re bërthamore, sipas CBS News.

“Amerikanët duhet të dinë se kërcënimet nuk do t’i ndihmojnë kur të përballen me Iranin”, tha Ayatollah Ali Khamenei në fjalimin e tij të drejtpërdrejtë me rastin e Nevruzit, Vitit të Ri Persian.

Amerikanët dhe të tjerët duhet ta dinë se nëse bëjnë diçka keqdashëse ndaj kombit iranian, do të marrin një shuplakë të rëndë”, shtoi ai.

Më 7 mars, Trump tha se i kishte shkruar Khamenei, duke kërkuar negociata me Teheranin për programin e tij bërthamor dhe duke paralajmëruar për veprime të mundshme ushtarake nëse ai refuzonte.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi tha dje se letra ishte “më shumë një kërcënim”, por tha gjithashtu se ajo dukej se ofronte mundësi.

Araghchi shtoi se Teherani ende po peshonte përgjigjen e tij, e cila tha se do të njoftohej në ditët në vijim.

Faqja amerikane e lajmeve “Axios”, duke cituar një zyrtar amerikan dhe burime të tjera, tha të mërkurën se letra e Trump paraqiste një afat dy mujor për arritjen e një marrëveshjeje të re bërthamore.

Raporti nuk specifikonte datën e fillimit apo të mbarimit të dy muajve dhe Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar që letra e Trump i ka paraqitur Teheranit një afat.

Khamenei ka hedhur poshtë më herët propozimet e Trump për bisedime, duke akuzuar presidentin amerikan se po përpiqet të mashtrojë opinionin publik global duke portretizuar SHBA-në si të gatshme për të negociuar dhe Iranin si të pavullnetshëm për t’u angazhuar.

Si Izraeli ashtu edhe SHBA-ja kanë paralajmëruar se kurrë nuk do të lejonin Iranin të merrte një armë bërthamore, duke rritur frikën e një konfrontimi ushtarak.

Në fund të gushtit, Khamenei hapi derën për bisedime të mundshme me SHBA-në.

Përpjekjet për të rifilluar marrëveshjen bërthamore deri më tani kanë dështuar.

Irani definitivisht nuk do të negociojë drejtpërdrejt ndërsa përballet me presion, kërcënime dhe sanksione të shtuara”, tha dje Araghchi.

Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë pritet të takohen javën e ardhshme për të diskutuar programin bërthamor të Iranit – ndërsa Rusia, një aleate e Iranit që është përpjekur të përmirësojë lidhjet me Uashingtonin që nga kthimi i Trump në detyrë – ka ofruar të ndihmojë ndërmjetësimin e një marrëveshjeje midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha sot në Moskë se Irani,”si të gjitha vendet e tjera, kishte të drejtë të zhvillonte sektorin paqësor atomik, energjinë paqësore bërthamore dhe se po ndërmerrte hapa të rëndësishme në këtë drejtim.