103 investime janë mbështetur nga programi IPARD II në kuadër të masës për diversifikimin e fermave dhe gjallërimin e ekonomisë në zonat rurale. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) bën të ditur se, këto investime përfshijnë sipërmarrjet agroturistike, bujtinat, prodhimin dhe përpunimin e bimëve medicinale, industrinë e artizanatit, prodhimin e energjisë së rinovueshme, akuakulturën, etj. Qëllimi është ndërtimi i modeleve të suksesit, rritja e standardeve të jetesës, hapja e vendeve të reja të punës dhe shtimi i të ardhurave të familjes rurale. Mbështetja për këto investime ka arritur në vlerën prej 17.04 milion euro, të cilat janë fonde të Bashkimit Evropian, në bashkëfinancim me qeverinë shqiptare. Synimi i programit IPARD, nga fondet e Bashkimit Evropian në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, është zhvillimi i bujqësisë përmes modernizimit dhe automatizimit të veprimtarisë së fermave dhe eksporteve, duke ndikuar pozitivisht në ekonominë e fermerëve dhe sipërmarrësve, në punësimin e të rinjve dhe zhvillimin e bizneseve në zonat rurale. AZHBR është në pritje të fondeve të reja përmes programit IPARD III prej 146 milionë euro, të gatshme për t’u injektuar në ekonominë e vendit. atsh