Komiteti i Përbashkët i Monitorimit të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, zhvilloi sot një takim pune online.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Autoriteti Kombëtar Shqiptar, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale e Maqedonisë së Veriut, Delegacionet e BE-së, si dhe institucione shqiptare dhe maqedonase.

Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës bën të ditur se “takimi shërbeu si një hap i rëndësishëm në qeverisjen e programit, ku anëtarët e Komitetit shqyrtuan dhe dhanë opinionet këshilluese mbi listën operacionale të propozuar për financim nga BE-ja, në kuadër të thirrjes së fundit”.

Sipas SASPAC, diskutimet u fokusuan në projektet ndërkufitare me ndikim, të përputhura me qëllimet kryesore të programit, duke përfshirë: Projektet që synojnë zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, promovimin e ekonomive lokale, eko-turizmin, si dhe përmirësimin e infrastrukturës kulturore dhe natyrore në zonën ndërkufitare.

Gjithashtu, u diskutua për projektet që forcojnë kapacitetet e mbrojtjes së mjedisit, me qëllim përmirësimin e shërbimeve publike për reagim emergjent dhe menaxhimin e qëndrueshëm të riskut në zonat e largëta ndërkufitare.