Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve që të investojnë në bono thesari dhe obligacione. Ai tha se rritja e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë ka sjellë rritjen e normave të përfitimit në investimet e tyre. Por si funksionon blerja e atyre që në gjuhën e bankave quhen tituj qeveritarë dhe ku është avantazhi? Banka e Shqipërisë shprehet se avantazhi kryesor i investimit në bono thesari dhe obligacione është ofrimi i një alternative investimi e cila ka rrezik të ulët dhe përfitim të kënaqshëm. Ekspertët e BSH-së thonë se titujt qeveritarë paraqesin avantazh ndaj depozitave. Ata sigurojnë një kthim më të lartë kundrejt të njëjtit afat kohor si dhe likuiditet më të lartë. Kjo pasi potencialisht mund të shiten apo kthehen në likuiditet para afatit të maturimit, gjë që përgjithësisht depozitat nuk e ofrojnë. BSH-ja shpjegon se titujt qeveritarë janë instrumente financiare të cilat përdoren nga shteti shqiptar për të realizuar financimin e deficitit buxhetor si dhe për të rinovuar borxhin publik ekzistues. Në bazë të maturitetit të titullit financiar ato ndahen në afatshkurtër (kryesisht bono thesari me maturim 3, 6 dhe 12-mujor) si dhe tituj me maturim mbi një vit të cilët emërtohen obligacione. Aktualisht qeveria shqiptare emeton obligacione me maturim 2, 3, 5, 7, 10 dhe 15-vjeçar. Bonot e thesarit shiten me ulje, duke nënkuptuar një çmim më të ulët sesa vlera nominale e blerë dhe në maturitet investitori merr mbrapsht vlerën nominale të investimit. Diferenca ndërmjet vlerës nominale dhe çmimit të blerjes është interesi i paguar për këtë investim. P.sh., nëse një individ blen një bono thesari 12-mujore me yield/interes 5.83% do të paguajë një çmim prej 945,054.29 lekë dhe pas një viti do të paguhet në shumën 1,000,000.00 lekë. Diferenca prej 54,945.72 lekë përfaqëson interesin e përftuar nga investimi në bono thesari 12-mujore. Ndërsa për obligacionet, interesi paguhet në formën e kuponit mbi vlerën nominale dhe paguhet dy herë në vit. Psh, nëse një individ investon 1 milion lekë obligacione me maturitet 10-vjeçar me kupon 7.2% do të marrë dy herë në vit, për 10 vjet, flukse pagesash prej 36 mijë lekë (7.2% *1,000.000.00 lekë / 2). Përgjithësisht, maturitetet afatgjata ofrojnë një interes/kthim më të lartë sesa titujt afashkurtër, në këmbim të heqjes dorë nga mbajtja e kursimeve në formë likuide. Titujt e thesarit mund të shiten para datës së maturimit, por për këtë mbajtësi i titullit duhet të gjejë një blerës (bankë të nivelit të dytë). Veprimet e shkëmbimit të pronësisë të titullit para maturitetit quhet në zhargonin ekonomik dhe si treg sekondar i titujve të qeverisë. Përgjithësisht titujt e qeverisë konsiderohen pa rrezik krediti pasi sipas ligjit nr. 9665 datë 18.12.2006 “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, neni 13, qeveria merr përsipër garantimin e pagesave të borxhit shtetëror, duke i dhënë përparësi kundrejt gjithë detyrimeve të tjera. Në këtë kuptim, investimi në tituj të qeverisë ofron një alternativë të mirë investimi me rrezik të ulët dhe kthim/interes të kënaqshëm. Prej fillimit të vitit yieldet e titujve të thesarit kanë shënuar një rritje të ndjeshme, kryesisht si pasojë e rritjes së inflacionit në Shqipëri dhe në rang global në përgjithësi. Banka e Shqipërisë prej muajit mars 2022 ka rritur normën e interesit 5 herë, në nivelin 2.75% aktualisht, për mbajtjen nën kontroll të presioneve inflacioniste.https://lajme.rtsh.al/artikull/si-funksionon-investimi-ne-titujt-qeveritare