Investimet e Huaja Direkte shënuan rekord të ri në tremujorin e parë të vitit. Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, vlera e IHD arriti në 308 milionë euro, në rritje me 1.65 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është vlera më e lartë e Investimeve të Huaja Direkte e regjistruar ndonjëherë në këtë periudhë të vitit. Fluksi i investimeve të huaja edhe në tremujorin e parë të vitit u dominua nga fitimet e riinvestuara, që arritën vlerën e 183 milionë eurove, në rritje me 9.6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, edhe investimet në formën e flukseve të reja të kapitalit shënuan një rritje edhe më të lartë në tremujorin e parë të këtij viti. Ato arritën vlerën e 143 milionë eurove, në rritje me 28.8 % krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Pas pandemisë, investimet e huaja direkte kanë shënuar një ringritje të shpejtë. Vitin e kaluar, ato arritën vlerën e 1.37 miliardë eurove, në rritje me 33 % krahasuar me një vit më parë. Gjatë tremujorit të parë 2023, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në sektorin e hidrokarbureve, në masën 21 %. Investimet në këtë sektor janë kryesisht të lidhura me industrinë e nxjerrjes së naftës bruto. atsh
Investimet e huaja u rritën në 308 milionë euro
RELATED ARTICLES