Qendrës së Ekipeve Kombëtare në Kamzë i është shtuar edhe një fushë e tretë me tapet artificial, e ndërtuar nga e para, e që e çon në tre numrin e fushave në këtë kompleks. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të kësaj fushe, që tashmë është vënë dispozicion të fëmijëve që aktivizohen me futbollin e moshave. Presidenti Duka, i cili shoqërohej nga disa figura të rëndësishme të futbollit shqiptar ndër vite, u takua me fëmijët e disa prej akademive që stërviten në këtë kompleks dhe u premtoi atyre se FSHF do të vazhdojë të investojë që t’u krijojë kushte sa më të mira për të luajtur futboll. “Projektet e Federatës së Futbollit për të përmirësuar infrastrukturën e stërvitjes janë pikërisht projekte për ju, për fëmijët që stërviten këtu, por jo vetëm këtu. Ky projekt quhet projekti “100 fushat” dhe ka filluar të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. Para pak ditësh përfunduam një fushë në Arbanë, një tjetër në Vorë, vazhdojnë punimet në disa fusha të tjera, me qëllim që ju të keni kushte sa më të mira. Por jo vetëm ju, edhe shokët e juaj që nuk kanë ardhur akoma në futboll. Edhe ata të afrohen sa më shumë në futboll. Futbolli do t’ju bëjë qytetarë më të mirë, më të shëndetshëm”, tha presidenti i FSHF-së, duke nxitur njëkohësisht fëmijët që të vazhdojnë të angazhohen në futboll, ndërkohë që do të kenë mbështetjen maksimale nga Federata me uniforma e topa falas, por edhe përmes projekteve të tjera në të ardhmen.