Bashkia Malësi e Madhe do të zbatojë gjatë këtij viti një sërë projektesh publike që synojnë përmirësimin e infrastrukturës në zonat me potencial turistik, në kuadër të mbështetjes për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit lokal.
Investimet, të financuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, do të përqendrohen kryesisht në modernizimin e ndriçimit rrugor, duke përdorur teknologji bashkëkohore dhe burime alternative të energjisë. Ndërhyrjet do të realizohen në disa prej destinacioneve më të vizituara të bashkisë, përfshirë Razmën, Bogën dhe Reçin.
Këto ndërhyrje pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e atraktivitetit të Malësisë së Madhe si destinacion turistik gjatë gjithë vitit, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës.





