Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj bëri të ditur se u diskutua rreth sfidave të rëndësishme që duhet të kalojë Shqipëria, në kuadër të hartimit dhe zbatimit të politikave të duhura, së bashku me vendet e tjera të rajonit perëndimor në Mekanizmat dhe Politikat e Sigurisë Kibernetike të BE-së.

Karçanaj theksoi se integrimi në këto mekanizma, nuk do të vlejë vetëm për forcimin e hapësirës tonë digjitale, por do të kontribuojë në shtimin e sigurisë në një spektër më të gjerë në Bashkimin Europian.

Ajo e vlerësoi me rëndësi përshtatjen ligjore në përputhje me direktivat e BE-së, rritjen e aftësimit përmes trajnimeve dhe programeve specifike të kapaciteteve tona njerëzore, bazuar në nevojat specifike të ekosistemit.

Karçanaj ndau eksperiencën e AKSHI-t për mbrojtjen e hapësirës kibernetike qeveritare shqiptare, duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare të sigurisë, “Zero Trust” dhe strategjinë “Defense in Depth”.

Qendra Operacionale e Sigurisë tashmë përdor teknologjinë “state of art” mbështetur në Artificial Intelligence dhe Machine Learning.

“Jam e bindur se bashkëpunimi i ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimor, BE-në dhe ENISA (Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike) do ta ndihmojë Shqipërinë të përballë me sukses sfidat për të ndërtuar një mjedis kibernetik të përbashkët, të sigurt dhe të fuqishëm”, theksoi Karçanaj.