Konferenca synoi të zgjerojë njohuritë mbi ndërtimin e fjalive dhe kuptimet e tyre gramatikore, duke shqyrtuar faktet gjuhësore të shqipes në këto drejtime.

Dr. Leonard Dauti prezantoi studimin për konstruktet modale të shqipes dhe vlerën diskurseve të tyre (vështruar në kontekstin e respektimit të normës standarde). Ai trajtoi modalitetin në gjuhën shqipe në raport me normën standarde dhe përkufizoi atë si shprehjen e qëndrimit të folësit ndaj përmbajtjes së fjalëve të tij në lidhje me realitetin objektiv, duke përfshirë vlerësimin subjektiv, mundësinë, lejimin dhe domosdoshmërinë e një veprimi.

Gjithashtu dr. Dauti prezantoi qasjet kryesore teorike të modalitetit nga autorë si Halliday, Lyons dhe Palmer etj., dhe përfshirjen e kuptimeve subjektive dhe direktive që mungojnë në disa gjuhë të tjera.

Në përfundim të referimit ai propozoi një përkufizim gjithëpërfshirës të modalitetit për gjuhën shqipe, duke nënvizuar nevojën për një koncept fleksibël që përfshin një gamë më të gjerë të nuancave të folësit.

Më pas tryeza vijoi me referimin e dr. Resul Telhajt, me temë “Tipat kumtuesorë të fjalive dhe mënyrat e foljes”, ku përshkruhen tipat kumtuesorë të fjalive: dëftore, pyetëse, urdhërore, thirrmore e dëshirore në kuadër të teorisë së akteve të ligjërimit dhe të semantikës dinamike, për realizimin e një analize gjithëpërfshirëse të konceptit të mënyrës, veçanërisht semantikën dhe pragmatikën.