Gjatë tremujorit të dytë të vitit, shtesa natyrore e popullsisë rezultoi pozitive, me 48 lindje më shumë sesa vdekje.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në këtë periudhë u regjistruan gjithsej 4982 lindje, duke shënuar një rënie prej 7,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Po ashtu, numri i vdekjeve arriti në 4934, me një rënie prej 3,7%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024.

Në nivel qarku, vetëm katër qarqe regjistruan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa tetë të tjerat kanë shtesë natyrore negative, duke treguar një shpërndarje të pabarabartë të dinamikës demografike në vend.

Qarku i Tiranës shënoi shtesën natyrore më të lartë, me 691 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa Korça është qarku me bilancin më negativ, ku u regjistruan 226 vdekje më shumë sesa lindje.

Lidhur me lindjet, vetëm një qark shënoi rritje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar, ndërkohë që njëmbëdhjetë qarqet e tjera shënuan rënie.

Tirana ka numrin më të lartë të lindjeve, me 1982 foshnja të lindura, ndërsa Gjirokastra qëndron në fund të listës me vetëm 74 lindje.

Kukësi është i vetmi qark që ka regjistruar rritje të lindjeve, me një përmirësim prej 6,5%, ndërsa Korça ka pësuar rënien më të madhe në përqindje, me një ulje të ndjeshme prej 26%.

Sa i përket vdekjeve, Kukësi është qarku me numrin më të ulët, me 119 vdekje, ndërkohë që Tirana ka numrin më të lartë me 1291 vdekje të regjistruara.

Gjirokastra shënoi rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, me 19,1% më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa qarku i vetëm ku është shënuar rritje e vdekjeve ka qenë Berati, me një rritje prej 4,6%.