Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT, gjatë muajit janar 2025, kanë hyrë 560.396 shtetas të huaj.

Ndërsa në total, në territorin e Shqipërisë gjatë muajit janar 2025, kanë hyrë 1.158.204 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 12,4 % më shumë krahasuar me janar 2024.

Referuar statistikave, në janar 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 597.808, duke pësuar një rritje me 10,6 %, krahasuar me janarin 2024.

INSTAT bën të ditur se, në janar të këtij viti, 97 % e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 87 % të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 4 %.

Sa i takon qëllimit të hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 97 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë tek të afërm, etj. tregues ky që ka shënuar një rritje me 13,4 %, krahasuar me janarin 2024. Ndërsa rritje të ndjeshme në muajin janar kanë pasur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me 90,1 %.

Sipas INSTAT në muajin janar 1.360.299 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 11,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.