Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALESHENDETESIINSTAT: Çdo vit mesatarisht 3% fëmijë më pak

INSTAT: Çdo vit mesatarisht 3% fëmijë më pak

Popullsia e Shqipërisë, më 1 janar 2021, referuar të dhënave të INSTAT-it, rezulton 2.829.741 banorë, nga të cilët 579.203 janë fëmijë (0-17 vjeç). Si rezultat i rënies së popullsisë me 1,6%, gjatë pesë viteve të fundit (2017-2021), edhe numri i kësaj grupmoshe ka ardhur duke u zvogëluar, duke shënuar çdo vit mesatarisht 3% fëmijë më pak. Pesha që zënë grupmoshat e popullsisë 10-19 vjeç (adoleshentë) dhe 15-29 vjeç (të rinj) ndaj popullsisë gjithsej, rezulton përkatësisht 12.4%, dhe 22.7%. Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin “Treguesit e Mirëqenies së Fëmijëve, Adoleshentëve dhe të Rinjve në Shqipëri. Të dhëna mbi periudhën kohore 2017-2021”, sipas të cilit në krahasim me vitin 2017, pesha e këtyre grupmoshave është në rënie. Në nivel qarku, pesha që zënë fëmijët rezulton më e lartë në Kukës (24.7% të popullsisë së qarkut), ndërsa më e ulëta në Vlorë (18.3%). Gjatë pesë viteve të fundit (2017-2021), numri i fëmijëve ka ardhur duke u ulur gradualisht në të gjitha qarqet, me uljen më të ndjeshme në Gjirokastër dhe Berat (24 % dhe 20 % përkatësisht). Ndërsa Tirana dhe Durrësi kanë uljen më të vogël (përkatësisht 3% dhe 6%), krahasuar me fillimin e periudhës, ndihmuar kjo edhe nga prurjet e migrimit të brendshëm, që i ka kthyer tashmë në dy qarqet me përqendrimin më të lartë të popullsisë së vendit. Projeksionet e popullsisë, të ndërtuara për vitet 2019-2031, tregojnë se, në vitin 2021 popullsia përkon me skenarin e rritjes së ulët, ku vdekshmëria dhe migrimi janë të larta, ndërsa lindshmëria e ulët. Projeksionet e popullsisë me këtë skenar, parashikonin për një popullsi prej 2.841.549. Nëse do të ndiqet ky skenar, në vitin 2031 përqindja e grupmoshës 0-17 vjeç ndaj totalit të popullsisë, pritet të bjerë në 17.7%. ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments