Veprimtaritë informuese, të cilat u mbajtën në Tiranë, Elbasan, Lezhë dhe Shkodër, u organizuan në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit Shqiptar, si dhe me përfshirjen e aktorëve të shumtë nga komunitetet lokale, të tillë si bashkitë, organizatat e shoqërisë civile, Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike, nxënës dhe mësues.
Të rinjtë dhe mësuesit luajtën një rol qendror në fushatë, duke drejtuar veprimtari dhe duke u kthyer në zëdhënësit e komunitetit. Nëpërmjet diskutimeve, ekspozitave të artit figurativ dhe shfaqjeve të mbajtura në teatrot publike në Elbasan, Shkodër dhe Lezhë, ku morën pjesë 550 studentë, u nxitën diskutime të zjarrta rreth rreziqeve të keqpërdorimit të armëve të zjarrit. Këto evente jo vetëm që rritën ndërgjegjësimin, por gjithashtu nxitën një ndryshim në mendësi, duke ndihmuar në sfidimin e qëndrimeve ndaj dhunës me armë.
Pika kulmore e këtyre eventeve, njofton OSBE, u shënua me pjesëmarrjen e Big Bastës, kompozitorit dhe këngëtarit të këngës së fushatës “Leji armët”, i cili ndihmoi në përcjelljen e mesazheve kyçe drejtpërdrejt te të rinjtë. Studentët u angazhuan gjithashtu për konceptimin dhe realizimin e një instalacioni në rrugë të murit të kujtesës kundër armëve të zjarrit.
Gjatë gjithë veprimtarive informuese, kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Michel Tarran, theksoi rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në rritjen e ndërgjegjësimit rreth rolit të të rinjve dhe dhunës me bazë gjinore. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e partneritetit me aktorët lokalë, sikurse shoqëria civile dhe Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike, për të garantuar qëndrueshmërinë e këtyre përpjekjeve.
Veprimtaritë informuese ishin pjesë e projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës.