Instagrami do të njoftojë prindërit që kanë aktivizuar mbikëqyrjen e llogarisë për fëmijët e tyre nëse ata po kërkojnë informacione që lidhen me vetëvrasjen ose vetëplagosjen, njoftoi sot rrjeti social në një deklaratë për shtyp.
Njoftimet do t’u dërgohen prindërve me anë të emaileve, SMS-ve ose WhatsApp-it, varësisht nga informacioni i kontaktit i dhënë gjatë regjistrimit, si dhe përmes një njoftimi brenda aplikacionit.
Sapo prindërit të njoftohen, aplikacioni do t’u ofrojë atyre një numër urgjence ose këshilla, të zhvilluara me profesionistë të kujdesit shëndetësor, se si ta diskutojnë temën me fëmijët e tyre.
Sistemi i njoftimeve do të zbatohet duke filluar nga java e ardhshme në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Australi dhe Kanada, dhe më vonë këtë vit në rajone të tjera.
Instagram-i tregon se ka vendosur një prag për numrin e kërkimeve brenda një periudhe të shkurtër, por nuk përjashton rregullimin e tij bazuar në reagimet e përdoruesve.
“Ndonjëherë mund t’i njoftojmë prindërit edhe kur nuk ka shkak të vërtetë për shqetësim”, shpjegon dega e Meta-s, “por ne besojmë, dhe ekspertët pajtohen, se kjo është një pikënisje e mirë”.
Iniciativa e Instagram është pjesë e një sërë masash të marra vitet e fundit për të mbrojtur më mirë përdoruesit e rinj.





