Inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve për një shportë të caktuar të mallrave të konsumit, zbriti në 1.9 % në muajin shtator, duke shënuar nivelin më të ulët që prej qershorit të vitit 2021.
INSTAT publikoi sot indeksin e Çmimeve të Konsumit, raport i cili tregon se vala e rritjes së çmimeve prej pandemisë së COVID-19 e më pas agresionit luftarak në Ukrainë është frenuar.
“Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin shtator 2024 është 1.9 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 4.1 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin shtator 2024, krahasuar me gusht 2024 është 0.6 %”, bën të ditur INSTAT-i.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0.94 pikë përqindje, pasuar nga grupi “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.30 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin shtator 2023, rritja e çmimeve për grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” ishte 2.7 %.
Brenda këtij grupi, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 6.5 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4.6 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.9 %, “mish” me 3.4 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3 %, etj.
Çmimet për grupin “hotele, kafene dhe restorante” shënuan rritje me 1.8 %, krahasuar me shtatorin e 2023-shit, ndërsa çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.5 %.