Inflacioni i matur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në Shqipëri arriti në 2,3% gjatë muajit janar 2026, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Krahasuar me muajin dhjetor, çmimet e konsumit u rritën me 0,6%, duke reflektuar një presion të moderuar mbi kostot e jetesës në fillim të vitit. Rritja më e madhe e çmimeve u regjistrua në grupin “argëtim, sport dhe kulturë” me 9,8%, që ka kontribuar në mënyrë të ndjeshme në inflacionin e muajit.

Po ashtu, grupet “kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 3,7% dhe “pije alkoolike dhe duhan” dhe “sigurime dhe shërbime financiare” me nga 3,1% secili shënuan rritje mbi mesataren.

Rritje prej 2,3% shënuan edhe “ushqime dhe pije joalkoolike”, ndërsa shërbimi arsimor u rrit me 2,2%. Po ashtu, çmime më të larta u evidentuan në mobilje dhe mirëmbajtje shtëpie, restorante dhe akomodim, me nga 2,0%, si dhe në sektorët e shëndetit me 1,1%, veshjeve dhe këpucëve me 0,9%, qirave dhe energjisë me 0,7% dhe informacionit dhe komunikimit me 0,6%.

I vetmi grup që shënoi ulje ishte transporti, me 0,7% në terma vjetorë.

Në planin mujor, rritja prej 0,6% u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i sigurimeve dhe shërbimeve financiare me 2,8%, i ndjekur nga argëtimi dhe kultura me 1,6% dhe ushqimet me 1,3%.

Shtim çmimesh u regjistrua edhe te kujdesi personal me 0,9% dhe te pijet alkoolike e duhani me 0,6%.

Nga ana tjetër, qiratë dhe energjia shënuan ulje mujore me 0,7%, ndërsa veshjet, këpucët dhe restorantet e akomodimi pësuan rënie më të lehta.

INSTAT njofton se, duke filluar nga shkurti 2026, indeksi do të përllogaritet sipas klasifikimit të ri ECOICOP 2018, në përputhje me rregulloren e Bashkimit Europian.

Ky ndryshim përfshin përditësimin e peshave, rishikimin e shportës së konsumit me 410 produkte dhe ndryshimin e vitit bazë në 2025=100.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve që konsumatorët (vendas dhe të huaj) synojnë për konsum final në Shqipëri.

Ky indeks përdoret për monitorimin e lëvizjeve të çmimeve me pakicë në vendet evropiane dhe për krahasimin e inflacionit midis shteteve të Bashkimit Evropian.

Ai gjithashtu shërben si një instrument për përcaktimin e inflacionit zyrtar të Bankës Qendrore Evropiane dhe për mbështetje në sigurimin e stabilitetit të çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar.