Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, e cilësoi një ditë historike për qytetin e Rrogozhinës dhe falënderoi FSHF-në dhe Presidentin Duka për kontributin e dhënë në ndërtimin e stadiumit “Egnatia Arena”.

“Sot është një ditë historike për qytetin e Rrogozhinës. Inaugurojmë impiantin e ri të futbollit. Jemi shumë falënderues ndaj Federatës, me në krye presidentin Armand Duka, për kontributin që na kanë dhënë për ndërtimin e këtij stadiumi”, tha presidenti i Egnatias, Agim Demrozi.

“Egnatia Arena” tashmë është gati të presë jo vetëm ndeshjet e kampionatit shqiptar, por edhe sfida të rëndësishme ndërkombëtare, duke i dhënë një hov të ri zhvillimit të futbollit në këtë zonë. Gjatë Kampionatit Europian U-17, që do të zhvillohet në Shqipëri nga 19 maji deri më 1 qershor, në stadiumin “Egnatia Arena” do të zhvillohen tri ndeshje.Me kontributin e FSHF-së janë investuar mbi 2 milionë euro në ndërtimin e tribunës së re, sistemin e ndriçimit, mbulesat dhe stolat, ledin perimetral dhe ekranin elektronik, duke sjellë një infrastrukturë moderne dhe të standardeve europiane.

Në këtë ceremoni morën pjesë presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe presidenti i KF Egnatia, Agim Demrozi, të cilët zbuluan së bashku pllakatën e inaugurimit, mes duartrokitjeve të shumta të tifozëve.

Gjatë një prononcimi për fshf.org, presidenti Duka e cilësoi këtë ditë si një ndër më të rëndësishmet për futbollin e Rrogozhinës dhe për klubin e Egnatias. Ai theksoi se stadiumi i ri, me kapacitet rreth 5 mijë vendesh dhe i pajisur me të gjitha kushtet e një impianti të kategorisë 4, është gati për të pritur çdo ndeshje ndërkombëtare.

Presidenti Duka e përmbylli fjalën e tij me një apel për më shumë tifozë në stadiume dhe për një promovim më të mirë të kampionatit shqiptar.