Kreu i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj ka përcjellë mesazhet e urimit në festën e Krishtlindjes, për sa më shumë dashuri dhe mirësi për të gjitha familjet shqiptare.
Imzot Arjan Dodaj u shpreh se kjo Krishtlindje na fton të ecim si shtegtarë të shpresës.
“Le të shkojmë në Betlehem dhe të shohim çfarë Zoti kumtoi për ne. Kjo është ftesa që na vjen nga Zoti në këtë Krishtlindje, të vihemi në ecje, në ecje si shtegtarë të shpresës në dyert e jubileut që shënon 2025 vite nga lindja e Krishtit. Me Krishtin historia e Zotit me popullin e vet merr tërësisht një drejtim të ri. Siç thotë edhe Shën Pali ‘u shfaq mirësia e shpëtimtarit tonë dhe dashuria e tij ndaj njerëzve’”, u shpreh Imzot Dodaj.
Imzot Arjan Dodaj nënvizoi se ka ardhur koha të reflektojmë dhe të promovojmë vlerat për fëmijët dhe atdheun.
“Të promovojmë ruajtjen e natyrës mahnitëse. Të dashur vëllezër dhe motra po hapet një vit jubilar, një vit shprese. 2025 vite nga ardhja e Krishtit. Zoti Fëmijë është drita e vërtetë e zemrës së njerëzimit. Ndriçon çdo njeri. Të reflektojmë në këtë dritë hyjnore. Jezusi me zemrën e tij njerëzore dhe hyjnore e bëftë zemrën e secilit prej nesh më të hapur, më të paqtë, më të bardhë. Gëzuar e për shumë mot të gjithë shqiptarëve Krishtlindjen”, uroi Imzot Dodaj.