Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIImporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, rritje vjetore prej 4.8 %

Importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, rritje vjetore prej 4.8 %

Volumi i ndërtimeve në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë më 26 nëntor 2019, por edhe për shkak të rritjes në treg të çmimit të hekurit pas agresionit rus në Ukrainë, bënë që vlera e importeve të materialeve të ndërtimit të shënojë rritje përgjatë 9-mujorit të këtij viti. Sektori i ndërtimit është një prej sektorëve me kontributin më të rëndësishëm në ekonominë kombëtare. Të dhënat tregojnë se ai kontribuon me rreth 10 % në PBB Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, gjatë periudhës janar-shtator, importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve shënoi rritje vjetore prej 4.8 %. Në vlerë, importet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve për këtë periudhë llogariten mbi 103.8 miliardë lekë me një rritje mujore prej rreth 7 miliardë lekësh, dhe gati 27 miliardë lekë më të larta se në të njëjtën periudhë të 2021-shit, kur u importuan 77.4 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale. Në vitin 2021 llogariten 111.8 miliardë lekë importe materialesh ndërtimi dhe metalesh, nga 78.2 miliardë lekë që ishin në 2020-ën. Qeveria thotë se rritja e ndjeshme e çmimeve për materialet e ndërtimit ka ngadalësuar ose ndaluar një pjesë të kontratave publike, pasi ecuria e mëtejshme do të shkaktonte humbje të ndjeshme të parikuperueshme për kompanitë e ndërtimit deri në falimentimin e tyre. Pas analizës që kreu mbi zbatimin e buxhetit të shtetit për 5-mujorin, u vu re se niveli i investimeve publike me financim të brendshëm ishte ngadalësuar, duke arritur në 14 % të totalit të shumës së programuar për vitin 2022, nga 31 % që ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2021. Nisur nga kjo situatë, qeveria hartoi një Akt Normativ, përmes së cilit përcaktohen rregullat për kompensimin nga 5-30 % të çmimit të disa materialeve të ndërtimit që kanë pësuar rritje. Inflacioni dhe rritja e interesave pritet të godasë fuqinë blerëse dhe kërkesën në tregun e pronave. Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë të këtij viti indeksi i kostove në ndërtim shënoi një rritje rekord me 6.2%, e nxitur sidomos nga shpenzimet materiale dhe ato për energji. Kjo situatë gjithsesi duket se nuk e ka ndikuar ecurinë e kreditimit në ndërtim, pasi sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 7-mujorin 2022, kredia e re për ndërtimin kishte vlerën e 22.7 miliardë lekëve, duke shënuar rritje me 38%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera totale e portofolit të kredisë për ndërtimin në fund të muajit korrik arriti në 70.4 miliardë lekë, në rritje vjetore me pothuajse 30%.https://ata.gov.al/2022/10/24/importi-i-materialeve-te-ndertimit-dhe-metaleve-rritje-vjetore-prej-4-8/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments