Eksportet drejt Kosovës shënuan rënie me 500 milionë lekë gjatë muajit tetor. Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës gjatë muajit tetor ishin 3.1 miliardë lekë, nga 3.6 miliardë lekë që ishin në tetorin e 2021-shit. Përgjatë 10-mujorit të këtij viti eksportet drejt Kosovës llogariten pothuajse në të njëjtën vlerë më 10-mujorin e 2021. Ato shkuan në 30.9 miliardë lekë, duke shënuar rënie me rreth 10 milionë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021-shit. Ndërkohë, importet për 10-mujorin shënuan rritje me gati 3 miliardë lekë, duke arritur në 13.2 miliardë lekë nga 10.6 miliardë lekë që ishin në dhjetëmujorin e 2021-shit. Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike. Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/ mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera. Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë, ndër të cilat eksportin kryesor e zënë domatet, agrumet, pjepri dhe kastravecat. Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës 14.1 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale dhe rreth 4.7 miliardë lekë minerale, lëndë djegëse, energji elektrike. Tashmë prej datës 1 tetor në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën. Janë 1040 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi. Ndërkohë grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.https://ata.gov.al/2022/12/01/importet-nga-kosova-shenuan-rritje/