Ndërkohë që vendi ynë po përballet me një valë te nxehti dhe temperatura ekstreme deri në 42 gradë celsius, meteorologia e A2 CNN Tanja Porja, njofton se nga sot ka nisur ulja e temperaturave, e cila sipas saj do të vijojë të ulet gradualisht gjatë ditëve në vijim.
“Kemi temperatura prej 42 grade celsius sot ka rënie të temperaturave. Ky është lajm i mirë. Temperaturat do të vijojnë të ulen në pjesën e dytë të javës do ndihet të enjten dhe gjatë fundjavës. Në zona të izoluara në skajin veriperëndimor edhe gjatë fundjavës do të ketë temperatura maksimale 38-39 dhe zona të izoluara ku pjesa tjetër do të ketë rënie të vlerave termike. Sot presim 40-41 nesër 38-39 nga e premtja në vijim kemi temperatura jo më shumë se 35-36 gradë” u shpreh Porja për A2 CNN.
Sipas saj, në zona të izoluara, kryesisht në skajin veriperëndimor, temperaturat do të qëndrojnë më të larta edhe gjatë fundjavës, duke arritur deri në 38-39°C, ndërkohë që në Mbishkodër mund të regjistrohen vlera deri në 38°C.
E pyetur se kur parashikohen reshje shiu, ndërkohë që shumë zona të vendit janë përfshirë nga flakët, Porja theksoi se deri më 23-24 gusht, nuk parashikohen reshje në territorin shqiptar,
“Pjesa tjetër e muajit gusht do të ketë reshje të pakta dhe të izoluara. Deri nga data 23-24 gusht nuk presim reshje në të gjithë territorin nga data 24 e në vijim pritet që të kemi dy ditë reshje të konsiderueshme. Thatësira e kësaj vere ka qenë e paprecedentë. Reshjet në gjysmën lindore të territorit”, tha Porja në A2 CNN.
Sipas parashikimeve, meteorologia njoftoi se edhe muaji shtator pritet të vijojë me temperatura të larta, të ngjashme me ato të muajve të verës. (A2 Televizion)