Agjencia me qendër në Paris paralajmëroi për “kërcënime urgjente ndaj sigurisë energjetike dhe rreziqe afatgjata në zgjerim, që përfshijnë një gamë të paprecedentë burimesh dhe teknologjish”, gjatë publikimit të raportit të saj kryesor ”World Energy Outlook”.
Raporti thekson se, ndonëse energjitë e rinovueshme u zhvilluan me ritme rekord për të 23-in vit radhazi në vitin 2024, burimet tradicionale si nafta, gazi natyror dhe qymyri arritën gjithashtu nivele më të larta historike.
“Kurrë më parë nuk kemi pasur tensione kaq të shumta në sigurinë energjetike që prekin kaq shumë burime dhe teknologji njëkohësisht”, deklaroi drejtori i IEA-së, Fatih Birol.
“Sot, kur siguria energjetike është në qendër të politikave qeveritare, përgjigjet duhet të marrin parasysh ndërveprimet dhe kompromiset që lidhen me qëllime të tjera, si përballueshmëria, qasja, konkurrueshmëria dhe ndryshimet klimatike”, shtoi ai.
Raporti paraqet tre skenarë të bazuar në politikat, teknologjitë dhe të dhënat më të fundit të tregut, të mbështetur nga modelime analitike.
Në të tre skenarë, Skenari i Politikave Aktuale (CPS), Skenari i Politikave të Shpallura (STEPS) dhe Skenari i Emetimeve Neto Zero deri në vitin 2050 (NZE), parashikohet që bota do të kalojë pragun e 1,5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale.
Megjithatë, sipas IEA-së, skenari NZE do të mundësonte uljen graduale të temperaturave nën këtë prag në afat të gjatë.
Agjencia theksoi se sektori energjetik duhet të përgatitet për rreziqet që sjell ngrohja globale, por shtoi se “ende ka hapësirë për të shmangur pasojat më të rënda të krizës klimatike”





