Në drejtimin e kryetarit Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat, në mbledhjen e sotme në cilësinë e komisionit përgjegjës mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) për projektin “Ndërtimi i urave të qëndrueshme, duke përdorur qasjen e programit me shumë faza”. Të ftuar në mbledhjen e komisionit për prezantimin e projektligjit ishin: Adela Xhemali, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, Kesjana Halili, drejtor i përgjithshëm i Borxhit Shtetëror në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Evis Berberi, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, etj. Në fjalën e saj Xhemali sqaroi se qëllimi i projektligjit është akomodimi i financimit për implementimin e studimeve të fizibilitetit dhe projekteve të detajuara për rikonstruksione të thella dhe të mesme të urave ekzistuese, urave të reja dhe veprave të artit në rrjetin rrugor kombëtar, që janë më të rrezikuara nga faktorët madhorë, si tërmetet, përmbytjet apo ndryshimet klimaterike, duke marrë, gjithashtu, parasysh kohën e ndërtimit të tyre, kushtet strukturore, etj. Lidhur me termat e financimit, Xhemali detajoi se kredia është në shumë 51.6 milionë euro, me afat maturimi 19 vite, ku përfshihet një periudhë 4-vjeçare pa principal. Deputeti Alban Xhelilaj, në cilësinë e relatorit, u ndal në përmbajtjen e projektligjit, projektit prej 3 komponentësh dhe duke evidentuar përfitimet që do të sjellë kjo marrëveshje, ftoi kolegët ta miratojnë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare të radhës.
IBRD mbështet projektin për ndërtimin e urave të qëndrueshme
RELATED ARTICLES