Sipas bllokut evropian, është thelbësore që projekte të tilla të reflektojnë vullnetin dhe nevojën e komuniteteve lokale.
Qeveria në detyrë e Kosovës i ka ndarë rreth tre milionë euro për ndërtimin e dy urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për trafik – dhe punimet rreth tyre pritet të përfundojnë në vjeshtë.
Sipas autoriteteve në Prishtinë, qëllimi i projekteve është “integrimi dhe zhvillimi” mes banorëve të Mitrovicës së Veriut me shumicë serbe dhe asaj të Jugut me shumicë shqiptare.
Gurëthemelet e dy urave në Mitrovicë janë vendosur më 1 korrik, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Më herët gjatë ditës, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka nisur një peticion kundër ndërtimit të urave mbi Ibër.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i ka thënë Radio Televizionit të Serbisë përpara fillimit të nënshkrimit të peticionit, se qëllimi është “të tregohet një qëndrim i unifikuar i popullit serb, se ai nuk pranon vendime të njëanshme për projekte në dëm të komunitetit serb”.
Sipas tij, peticioni do të jetë i disponueshëm për nënshkrim gjatë dy ditëve të ardhshme, ndërsa më pas do t’i përcillet bashkësisë ndërkombëtare.
Urat do të ndërtohen pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë urë qëndrojnë vazhdimisht pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, pasi ajo njihet për konflikte etnike në periudhën e pasluftës.
Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore për mbylljen e saj për qarkullimin e makinave.
Bashkimi Evropian ka porositur më 7 korrik që “të gjitha marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit, përfshirë ato lidhur me urën në Mitrovicë të zbatohen plotësisht”.
Blloku evropian ka bërë të ditur se është duke kryer vlerësimin e strukturës së urës në Mitrovicë dhe është duke analizuar planin urbanistik të zonës përreth, dhe që autoritetet e Kosovës janë ta informuara për këto zhvillime.
“Ky vlerësim nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në status quo, mirëpo synon të garantojë që secili vendim për të ardhmen e urës bëhet mbi baza të të dhënave të sakta dhe objektive”.
“BE-ja është duke u koordinuar nga afër me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë sa i përket të ardhmes së urës”, është thënë mes tjerash në përgjigje.
Verën e kaluar, Qeveria e Kosovës pati paralajmëruar se ajo mund të hapet për trafik – gjë që i ka rritur tensionet dhe shkaktoi reagime nga bashkësia ndërkombëtare.
Kryeministri në detyrë, Kurti ka deklaruar se Qeveria e tij nuk do të heqë kurrë dorë nga hapja e urës kryesore.
Pjesëtarë të komunitetit serb nga Mitrovica e Veriut i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se hapja e urës kryesore vetëm se do t’i rriste tensionet në terren, ndërsa shqiptarët nga Mitrovica e Jugut besojnë se një veprim i tillë do të kontribuonte në bashkëjetesë dhe liri të lëvizjes.