Sipas drejtorit të përgjithshëm të IAEA, Rafael Grossi, situata aktuale përbën “ngjarjen më të gjatë të këtij lloji në më shumë se tre vjet e gjysmë lufte”.

“Jam në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët për të mundësuar lidhjen e shpejtë të centralit me rrjetin elektrik”, tha Grossi, duke theksuar rëndësinë e riparimit të linjave të tensionit të lartë.

Centrali u mor nga trupat ruse menjëherë pas pushtimit të vitit 2022, dhe gjashtë reaktorët e tij u mbyllën vitin e kaluar për shkak të luftimeve të vazhdueshme.

Megjithatë, funksionimi i sistemeve kritike të sigurisë, si ftohja e reaktorëve, kërkon energji elektrike të vazhdueshme.

Aktualisht, kjo sigurohet nga tetë gjeneratorë emergjentë me naftë, të cilët po mbajnë situatën nën kontroll, por nuk ofrojnë një zgjidhje afatgjatë.

“Edhe pse gjeneratorët emergjentë janë linja e fundit e mbrojtjes dhe nuk ka rrezik të menjëhershëm për sa kohë punojnë, kjo nuk është një situatë e qëndrueshme për sigurinë bërthamore”, tha Grossi.

Ministria e Energjisë e Ukrainës ka bërë thirrje që partnerët ndërkombëtarë të ushtrojnë presion mbi Rusinë për të kthyer kontrollin e centralit tek Ukraina, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të rrisë rrezikun për një aksident bërthamor.

Ekspertët e sigurisë bërthamore nënvizojnë se situata në Zaporizhia është një “paralajmërim serioz”  për rreziqet që lidhen me centralet bërthamore në zona të konfliktit dhe nevojën për masa të menjëhershme për ruajtjen e sigurisë.