IAEA rekomandon riparime të mëtejshme dhe masa mbrojtëse, duke përfshirë kontrollin e lagështisë, monitorimin e përditësuar të korrozionit dhe përmirësimin e monitorimit të sarkofagut prej betoni që u ndërtua mbi reaktorin e dëmtuar menjëherë pas katastrofës.
Gjithë vendi i Çernobilit u mbyll përfundimisht në dhjetor 2000, kur u mbyll reaktori i fundit në funksion. Riparime të tjera paraprake do të kryhen vitin e ardhshëm për të përmirësuar mbrojtjen e re në centralin që ndodhet rreth 100 kilometra në veri të Kievit.
Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, një dron rus dëmtoi në shkurt “New Safe Confinement ” (NSC), një strukturë e madhe si hangar, e instaluar mbi reaktorin e katërt në vitin 2016. Pas incidentit nuk u raportuan nivele të rritura rrezatimi.
Moska ka mohuar se kishte sulmuar vendndodhjen bërthamore, e cila u pushtua nga trupat e saj për 35 ditë në fillim të luftës para se të tërhiqeshin.
Që nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës, kanë ndodhur incidente të përsëritura në centralet bërthamore pjesërisht të çaktivizuara të vendit. Në fillim të tetorit, sipas Kievit, mbrojtja në Çernobil mbeti pa energji për shkak të sulmeve mbi infrastrukturën energjetike.
Centralet bërthamore të çaktivizuara të Zaporizhias, të pushtuara nga trupat ruse që nga marsi 2022, mbetën pa furnizim të jashtëm me energji për rreth një muaj në vjeshtë.





