Irani nuk është larg nga posedimi i një bombe atomike, paralajmëroi drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi.

Vendet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë dyshuar prej kohësh se Irani dëshiron të marrë armë bërthamore.

Teherani i hedh poshtë këto akuza dhe mbron të drejtën e energjisë bërthamore për qëllime civile, veçanërisht për energjinë.

“Është si një enigmë: ata (iranianët) i kanë komponentët dhe një ditë më në fund mund t’i bashkojnë. Ka ende shumë për të bërë para se të arrijnë atje. Por ata nuk janë larg, duhet ta pranojmë”, tha Grossi për gazetën ”Le Monde”.

Drejtori i përgjithshëm i IAEA-së mbërriti në Teheran, përpara bisedimeve të reja midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për programin bërthamor iranian, të planifikuar për të shtunën në Romë.

IAEA-ja, mbikëqyrësja bërthamore e Kombeve të Bashkuara me seli në Vjenë, është përgjegjëse për verifikimin e natyrës paqësore të programit bërthamor të Iranit.

“Nuk mjafton t’i thuash komunitetit ndërkombëtar ‘nuk kemi armë bërthamore’ që ai ta besojë. Ne duhet të jemi në gjendje ta verifikojmë atë”, shtoi Grossi.