Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAI dërguari britanik: Sulmi në Kosovë “incident shumë serioz”

I dërguari britanik: Sulmi në Kosovë “incident shumë serioz”

I dërguari i posaçëm i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se Britania e Madhe e dënon sulmin e grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës më 24 shtator si një incident shumë serioz dhe kërkon hetime të plota për të përcaktuar përgjegjësinë. Ai tha se lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngjallur kujtimet e së kaluarës dhe ka shtuar tensionet në Ballkan dhe se Londra mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që të çojë në një formë normalizimi sa më shpejt.

Në intervistë ai thekson se qëndrimi i Britanisë së Madhe nuk është krijimi i një Republika Srpska tjetër në Kosovë, por i një asociacioni që merr parasysh interesat e të gjitha palëve dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

I pyetur nëse mund të ndodhte një sulm i tillë pa njohurinë dhe përkrahjen e Beogradit, Lordi Stuart Peach tha se “natyrisht, gjeografia dihet mirë dhe gjeografikisht këto dyja vende janë afër. Nga përvoja ime ka nevojë të vërtetë për siguri të kufirit dhe ka nevojë për kontrolle të rregullta policore nga dyja anët e atij kufirit. Ata që kryen sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s në muajin maj dhe sulmin që shkaktoi humbje të jetëve të njerëzve më 24 shtator duhen mbajtur përgjegjës. Përvoja jonë e gjatë nëpër vende të ndryshme të botës na mëson që policisë duhet t’i jepet përparësi. I nxisim të gjithë të ulin retorikën dhe të përqendrohen në hetime të mirëfilltë për të përcaktuar faktet”.

“Ende nuk e dimë pa u zbardhur faktet shkallën e përkrahjes së Beogradit, siç po e quani ju. Andaj nuk dua të spekuloj përderisa të mos kemi më shumë informacion. Por, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, është e rëndësishme të mundohemi të nxisim nevojën për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

I pyetur nëse pas këtij incidenti a mund të vazhdohet me dialog sikur nuk ka ndodhur asgjë, Peach tha se “të vazhdohet sikur mos të ketë ndodhur gjë” mund të jetë frazë e ngarkuar në aspektin retorik”.

“Dua të them se mes shteteve nuk ka kurrë arsye që të mos bisedohet. Natyrisht, ka gjendje lufte dhe gjendje konflikti dhe situate e tanishme mes Kosovës dhe Serbisë nuk është asnjëra prej tyre. Nuk ka asnjë arsye që Kosova dhe Serbia të mos të flasin me njëra-tjetrën në një dialog, që ne e mbështesim”, theksoi ai.

“Ne mbështesim dialogun, por ne nuk do të ulemi dhe ta hartojmë dialogun. Nuk na përket ne të themi se çfarë forme duhet të marrë ai. Por, kjo është çështje e pazgjidhur prej kohësh dhe qëndrimi ynë parimor është se, asociacioni nuk është – dhe po e përsëris nuk është – krijimi i një Republika Srpska të dytë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve. Do të vazhdojmë ta mbështesim dialogun dhe procesin që çon drejt normalizimit, që është synimi madhor”, theksoi Peach.

“Mesazhi im për palët do të ishte që për shkak të të gjitha konflikteve që kanë shpërthyer në botë, tani është koha për dialog, tani është koha të mos shikojmë vazhdimisht në të kaluarën, por të shohim drejt së ardhmes. Ballkani meritojnë të ardhme më të ndritshme”, përfundoi ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments