“Hyrja e Shën Marisë në Tempull”

0
2

Muzeu i Artit Mesjetar në vazhdën e publikimeve të objekteve të fondit të tij të pasur, ka publikuar një tjetër thesar ikonografik, ikonën “Hyrja e Shën Marisë në Tempull”.

Kjo ikonë e mesit të shekullit XVII-të, me origjinë nga Kisha e Shën Marisë, Vllahernë e Beratit, paraqet skenën e hyrjes të Hyjlindëses në tempull. Në skenën kryesore vemë re Shën Marinë në moshën 3-vjeçare të ngjisë shkallët e tempullit të Solomonit. Ajo shoqërohet nga dy prindërit e saj Joakimi dhe Ana gjithashtu pas tyre qëndrojnë 10 virgjëresha.

Tek tempulli e pret Profeti Zaharia i cili përdor fjalët “Ti je e përzgjedhura ndër të gjithë brezat”. Shën Maria qëndroi në tempull deri në moshën 14 vjeçare dhe më pas vjen “Ungjillëzimi i saj” të cilin e shohim në skenën e sipërme të ikonës.

Kisha ku është gjetur ikona, gjendet brenda mureve rrethuese të Kalasë së Beratit dhe është nga ndërtimet e kultit më të vjetra mesjetare në Berat. Në brendësi të kishës gjendet një dysheme e zbukuruar me një rozetë dekorative, ndërsa muret e brendshme sipas mbishkrimit, janë zbukuruar me pikturë murale, të realizuar nga Nikolla, biri i Onufrit, në vitin 1578. Në dritaren e absidës dhe në murin verior të kishës shohim të ripërdorura elemente arkitektonike paleokristiane.