Sipas këtyre ndryshimeve, sipërfaqe tokash të fondit kullosor mund të jepen në përdorim për të zhvilluar në to veprimtari shoqërore, shëndetësore, sportive e turistike dhe për prodhimin e energjisë së rinovueshme.
Në ligjin e publikuar në Fletoren Zyrtare saktësohet se për lejimin e ushtrimit të veprimtarive që lidhen me prodhimin e energjisë së rinovueshme në fondin kullosor shtetëror do jenë njësitë e qeverisjes vendore që do të ndjekin procedurat ligjore përkatëse për dhënien e së drejtës së përdorimit.
Gjatë propozimit të kësaj nisme, deputetja Bilali ëhstë shprehur se se menaxhimi i fondit kullosor në vendin tonë, i cili përbëhet prej 506 288 ha, prej të cilave 60% janë në pronësi shtetërore, ndeshet me disa sfida ndër të cilat më kryesorja është fragmentizimi i parcelave.
“Një nga avantazhet potenciale të tokave rurale dhe malore është përdorimi i tyre për energji të rinovueshme nëpërmjet paneleve fotovoltaike. Duke qenë se Shqipëria ka të disponueshme një hapësirë të konsiderueshme fondi kullosor dhe ka si objektiv rritjen e prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme, përdorimi i kullotave si për prodhimin bujqësor e blegtoral ashtu edhe për prodhimin e energjisë së rinovueshme do të ishte një skenar ‘fito-fito’ për ekonominë e vendit tonë. Përdorimi i paneleve fotovoltaike, është pjesë e përpjekjeve për të promovuar energjinë e gjelbër dhe për të shfrytëzuar hapësirat natyrore të papërdorura për qëllime energjetike”, ka nënvizuar Bilali.
Sipas saj, me këto ndryshime ligjore mundësohet përdorimi i dyfishtë i sipërfaqeve të fondit kullosor, si për kullota edhe si burim për prodhimin e energjisë alternative, të gjelbër.
Panelet diellore janë instaluar në një lartësi prej 5 metrash nga sipërfaqja e tokës, me qëllim që të mundësohet përdorimi i saj lirisht për ushqimin e bagëtive. Praktika të suksesshme të kësaj mënyre shfrytëzimi të sipërfaqes kullosore vijnë nga Gjermania, Austria, Franca, Holanda dhe Italia, ku ky sistem aplikohet prej vitesh.