Hungaria akuzoi Ukrainën për shantazh duke penguar kalimin e naftës ruse nëpër territorin e saj. Në një konferencë për media në Budapest, Gergely Gulyas, shefi i Zyrës së kryeministrit hungarez Viktor Orban, tha se Ukraina po shantazhon Hungarinë dhe Sllovakinë që “avokojnë për paqe dhe armëpushim”. Më herët të hënën, Hungaria dhe Sllovakia nisën së bashku një procedurë konsultimi të Bashkimit Evropian kundër Ukrainës në përgjigje të vendimit të Kievit për të ndaluar transitin e naftës së papërpunuar të kompanisë ruse të naftës Lukoil. Gulyas tha se kjo përbën rrezik serioz për sigurinë energjetike të Hungarisë dhe Sllovakisë. Sipas Gulyas, “deri në shtator duhet të gjendet zgjidhje”, ose përndryshe “Hungaria do të fillojë të përjetojë mungesë nafte”. “Njëra është që ukrainasit të pranojnë se nuk mund t’ia bëjnë këtë dy vendeve të BE-së. Një tjetër është se Komisioni Evropian na ndihmon dhe e treta është se ne gjejmë boshllëk ligjor që lejon që nafta të transferohet nga dikush që nuk preket nga sanksionet”, shpjegoi ai. Megjithatë, ai siguroi publikun se nuk ka nevojë për shqetësim sepse rezervat hungareze të naftës janë të shumta. Në fillim të javës së kaluar, Sllovakia dhe Hungaria thanë se kishin ndaluar marrjen e naftës nga furnizuesi kyç Lukoil pasi Ukraina vendosi ndalim muajin e kaluar për transitin e burimeve nga kompania ruse e energjisë përmes territorit të saj. Hungaria merr 2 milionë tonë metrikë naftë nga grupi rus çdo vit, që përbën afërsisht një të tretën e importeve të saj totale të naftës. Paralelisht, kryeministri i Sllovakisë Robert Fico tha se vendi i tij nuk do të jetë “peng” i marrëdhënieve Ukrainë-Rusi. Pavarësisht sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, Hungaria dhe Sllovakia, vende pa dalje në det, vazhdojnë të marrin gaz natyror dhe naftë përmes Ukrainës.
Hungaria akuzon Ukrainën për shantazh duke penguar tranzitin e naftës ruse
RELATED ARTICLES