Huadhënësi më i madh privat britanik, HSBC njoftoi se ka blerë filialin e bankës Silicon Valley Bank UK për një paund (1,13 euro). Kreditë e filialit të Silicon Valley Bank në Mbretërinë e Bashkuar arritën në 5,5 miliardë paund ndërsa depozitat në 7,6 miliardë paund deri më 10 mars, njoftoi gjiganti bankar britanik. Vitin e kaluar, fitimi bruto i Silicon Valley Bank UK ishte 88 milionë paund. Ky veprim erdhi pasi rregullatorët amerikanë mbyllën Silicon Valley Bank me seli në Kaliforni, në një ngjarje që është cilësuar si kolaps tronditës. Noel Quinn, shef ekzekutiv i HSBC-së tha se blerja ishte një lëvizje “strategjike e shkëlqyer” për operacionet e HSBC në Mbretërinë e Bashkuar. Silicon Valley Bank me seli në SHBA ishte banka më e madhe në rajonin e famshëm Silicon Valley të Kalifornisë bazuar në depozitat lokale dhe ishte banka e 16-të më e madhe në vend. Asetet totale të saj ishin rreth 209 miliardë dollarë ndërsa depozitat e saj arritën në afro 175,4 miliardë dollarë në fund të vitit 2022. Banka shiti këtë javë portofolin e saj të obligacioneve prej 21 miliardë dollarësh me një humbje prej 1,8 miliardë dollarësh. atsh
HSBC blen filialin e Silicon Valley Bank për një paund
RELATED ARTICLES