Tensionet e shkaktuara në veri të Kosovës, kërcënimet dhe frikësimet ndaj gazetarëve, vrasjet e grave nga bashkëshortët dhe diskriminimi i komunitetit LGBT+ në Kosovë, janë disa nga çështjet që organizata Human Rights Watch (HRW) përmendi në raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2022 për Kosovë. Raporti u publikua më 12 janar. Në raportin e 33-të, HRW monitoroi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2022 në 100 vende të botës, përfshirë Bosnjë dhe Hercegovinën (BeH), Kosovën dhe Serbinë. Gjendja e të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor, siç u tha nga kjo organizatë ndërkombëtare joqeveritare, ende karakterizohet nga ndjekja e ngadaltë e krimeve të luftës, qëndrimi i dobët ndaj të drejtave të minoriteteve, grave dhe komunitetit LGBT, si dhe liritë e dobëta të medias. Te pjesa e Kosovës, në raport u trajtua edhe çështja e keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë, sulmet dhe kërcënimet ndaj tyre dhe, siç u tha, reagimi i dobët i organeve të shtetit. Sipas raportit, në periudhën janar-gusht 2022, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës janë regjistruar 22 raste të sulmeve, katër raste më shumë të regjistruara se në vitin 2021 për ngacmimet dhe kërcënime ndaj gazetarëve dhe organeve të medias. HRW e citoi AGK-në të ketë thënë se hetimet penale për këto raste janë të ngadalshme. “Shoqata raportoi se në shumicën e rasteve gazetarët përballen me ngacmime, kërcënime dhe frikësim në platformat e mediave sociale”, u tha në raportin vjetor. Ndër të tjera, u raportua edhe për gjuhën e përdorur ndaj gazetarëve e bashkëshortit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, i cili njëherësh është edhe zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Prindon Sadriu, si dhe shefit të kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipi. Në shkurt Sadriu, me një postim në Facebook etiketoi gazetarët dhe mediat në Kosovë si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Ndërsa në mars, shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Luan Dalipi, në një postim në Facebook, lidhi mediat e Kosovës me “biznese kriminale” dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i bojkotojnë ato. “Deklarata të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut në media dhe të krijojnë një mjedis armiqësor për gazetarët”, tha HRW. Raporti përmendi edhe 310 kthime të detyruara në Kosovë, shumica nga Gjermania, ku në mesin e tyre ishin 38 fëmijë, gjashtë romë, 13 ashkali dhe të tjerë shqiptarë etnikë. Human Rights Watch u ndal edhe te dhuna ndaj gjinisë femërore në Kosovë, ku është përmendur rasti i dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë nga pesë të dyshuar dhe vrasja e grave nga bashkëshortët e tyre. “Të mbijetuarit e dhunës në familje vazhdojnë të përballen me pengesa për të marrë mbrojtje, duke përfshirë disa ndjekje penale dhe dështimin e gjyqtarëve për të lëshuar urdhra ndalimi kundër dhunuesve, si dhe ulje të dënimeve në rastet e vrasjeve të grave nga bashkëshortët e tyre, sipas Rrjetit të Grave të Kosovës”, u tha në raport. HRW u ndal edhe tek orientimi seksual dhe identiteti gjinor, ku tregon se Qendra për Barazi dhe Liri e komunitetit homoseksual (LGBT+) në Kosovë, ka regjistruar pesë raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj komunitetit, katër prej të cilave kanë të bëjnë ndaj dhunës nga anëtarët e familjes ose partnerët ndaj personave transgjinorë. Në raport, nga rajoni është përfshirë edhe shkelja e të drejtave të njeriut në Serbi, ku është theksuar dhuna ndaj gazetarëve të pavarur si dhe zhvillimi i Paradës së Krenarisë të komunitetit LGBT+ serb nën mbrojtje të policisë. HRW theksoi se ndërmjet janarit dhe gushtit në Serbi, Zyra e Prokurorit për Krimet e Luftës nisi shtatë hetime të reja kundër të dyshuarve për krime lufte. Deri në gusht, 16 raste kundër 39 të pandehurve ishin para gjykatave në Serbi. Gazetarët që kritikojnë Qeverinë serbe, sipas raportit, janë të ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe sulmeve me një përgjigje joadekuate nga shteti. Midis janarit dhe gushtit, u tha në raport, janë regjistruar dy sulme fizike ndaj gazetarëve, tre sulme në pronën e gazetarëve dhe 26 raste të ngacmimeve dhe kërcënimeve, ku përfshiheshin kërcënime me bombë ndaj gazetarëve dhe shtëpive të medias. Nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, nuk janë përfshirë në raportin vjetor të organizatës. Në raport është folur edhe për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, teksa është thënë se Rusia ka bërë shkelje të rënd të të drejtave të njeriut. “Pushtimi i plotë i Ukrainës i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili ka shënjestruar civilët, infrastrukturën dhe rezultoi në mijëra viktima civile, tërhoqi vëmendjen e botës dhe shkaktoi arsenalin e plotë të sistemit të të drejtave të njeriut. Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut hapi një hetim për abuzime dhe caktoi një ekspert për të monitoruar të drejtat e njeriut situata brenda Rusisë”. “Viti i kaluar tregoi se të gjitha qeveritë mbajnë përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën”, tha Tirana Hassan, ushtruese detyre e drejtorit të HRW, pas publikimit të raportit. Sipas saj, nën sfondin e ndryshimit të pushtetit, ka më shumë hapësirë për shtetet që të ngrihen për të drejtat e njeriut “teksa shfaqen koalicione dhe zëra të rinj të lidershipit”. ATA
HRW: Një vit plot tensione, kërcënime dhe shkelje të të drejtave të njeriut
RELATED ARTICLES