Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha iu përgjigj sot delegacionit rus, duke theksuar se nuk mund ta krahasojnë luftën në Ukrainë me Kosovën, pasi Kosova dhe Serbia bëjnë dialog për të zgjidhur problemet e tyre, nuk luftojnë. “Zotëri president! E urrej që po më duhet të kërkoj edhe një herë fjalën, për të dytën herë meqë m’u dha përshtypja se nuk isha mjaftueshëm i qartë. Por në këtë rast më duhet. Kjo nuk është për ta zgjatur diskutimin, por për t’i bërë gjërat krejtësisht të qarta. Delegacioni i Rusisë ngriti sërish një paralele me Republikën e Kosovës, një vend të pavarur që është njohur nga gjysma e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ashtu edhe nga ky Këshill. Kjo është e gabuar, e pasaktë dhe për keqardhje”, tha Hoxha. “Unë veçse kam reaguar ndaj pretendimeve të tilla edhe në qershor prandaj do flas shkurt. Asnjë gjë nuk mund të jetë më artificiale dhe më e sforcuar sesa krahasimi i një përpjekje ndërkombëtare për t’i dhënë fund një konflikti për të mbrojtur viktimat dhe për të vendosur një proces paqeje, për të gjetur një zgjidhje që ishte rasti në Kosovë, me agresionin e pastër, të paprovokuar dhe referendumet e turpit të inxhinieruara në Moskë dhe të mbajtura në Ukrainë”, shtoi ai. Sipas Hoxhës, “askush s’është dhe as mund të mashtrohet”. “Asnjë përpjekje për të krahasuar të pakrahasueshmen, asnjë lidhje e shkurtër jashtë çdo konteksti historik e politik nuk do ta ndihmojë Rusinë të devijojë vëmendjen nga lufta e saj në Ukrainë ose ta fsheh shkeljen flagrante të ligjit Ndërkombëtar që e ka shndërruar në një të padëshiruar në rendin ndërkombëtar. Kosova dhe Serbia bëjnë dialog për të zgjidhur problemet e tyre. Ata takohen, nuk luftojnë. Por mbi të gjitha, çështja këtu nuk është Kosova, as ndonjë pjesë tjetër e botës, por agresioni rus, krimet e Rusisë dhe kapja e territorit nga Rusia në dëm të fqinjit të saj. Ne s’do të mund të na hutoni”, tha Hoxhahttps://ata.gov.al/2022/09/28/hoxha-i-pergjigjet-delegacionit-rus-ne-okb-nuk-mund-te-krahasoni-luften-ne-ukraine-me-kosoven/