Në fshatin Alghero, në Guardia Grande, një rajon i Sardenjës, vetëm pak metra larg një plazhi dhe një pylli me pisha, po lind një projekt përrallor, i ashtuquajtur ”Hotelet e bletëve” apo thënë ndryshe strehimore për bletët e vetmuara dhe mbijetesën e tyre, e cila është thelbësore për pjalmimin.
Këto “shtëpi” të reja po marrin formë brenda kopshtit të bletëve, një parajsë e vogël bletësh e krijuar duke rimarrë 5 hektarë tokë nga një ish-gurore.
Këtu, pronari Davide Maffei ka mbjellë mijëra luledielli, livando, boronica, luleshtrydhe dhe rozmarinë duke krijuar një “mushkëri bletarie”, siç e quan ai, e para e strukturuar dhe e përhershme në Itali.
Një mbretëri biodiversiteti, një oaz i projektuar për insektet pjalmuese dhe që ushqehen me nektar.
Por, kjo nuk është e gjitha.
Kopshti i bletëve është gjithashtu një park edukativ që mirëpret familjet dhe grupet shkollore për të përjetuar jetën e bletëve dhe florës dhe për të shpjeguar rëndësinë e këtij insekti, të kërcënuar nga ndryshimet klimatike dhe praktikat bujqësore njerëzore.
Për ta bërë këtë oaz edhe më unik dhe të dobishëm, kopshti i bletëve është mbështetur në bashkëpunimin e vlefshëm të rrjetit ”Bug’s Hotel Ita”, i specializuar në krijimin e strehimoreve për insektet pjalmuese, dhe Laboratorit Social të Trentos, një qendër e shkëlqyer në dizajnin e qëndrueshëm.
Ky bashkëpunim synon krijimin e një mundësie të re për bletët e vetmuara.
Ndryshe nga bletët e mjaltit që jetojnë në koshere, bletët e vetmuara nuk prodhojnë mjaltë, por luajnë një rol vendimtar në ekosistem, duke kontribuar në pjalmimin e specieve të shumta bimore.
Megjithatë, këto bletë kërcënohen nga humbja e habitatit dhe përdorimi i pesticideve.
“Jemi krenarë që fillojmë këtë nismë, e cila kombinon mbrojtjen e mjedisit, edukimin dhe inovacionin”, shpjegon Davide Maffei.
“Përafërsisht 75% e bimëve të planetit mbështeten në pjalmimin entomofil, domethënë, nga një gamë e gjerë insektesh”, përfundon ai