Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë solli sot historinë e pabesueshme të Lekë Tasit, piktorit dhe ish-violonçelistit, i cili kaloi 15 vite në një kamp internimi. Kujtimet e atyre që vuajtën gjatë regjimit komunist në Shqipëri mbeten të gjalla dhe të gatshme për t’u transmetuar brezave të rinj, thekson zyra e BE. Piktor dhe violonçelist i parë në Teatrin Kombëtar të Operës, Lekë Tasi u detyrua të largohej nga Tirana dhe u dërgua në një kamp internimi në Lushnjë me familjen e tij, më 15 tetor 1975. Xhaxhai i tij kishte vdekur në burg, i ati 20 muaj pasi u lirua nga burgu politik.
Ishte 46 vjeç, jeta e tij artistike ishte ndërprerë dhe ai do të kalonte në një kamp internimi dënimin me 15 vjet, duke punuar si kooperativist deri në vitin 1990, kur u shemb regjimi komunist. Në një libër me kujtime të botuar vite më parë, ai përshkruan me hollësi jetën e përditshme në një kamp pune, duke dokumentuar punën, shtypjen dhe historitë e një kohe pa liri. Mbrëmjen e 20 shkurtit 2024, tashmë 95 vjeç, Lekë Tasi mori pjesë në ceremoninë e hapjes së “Ditëve të Kujtesës”, një aktivitet i përvitshëm me fokus trajtimin e së kaluarës komuniste në Shqipëri.
I shqetësuar se si do të tregohet historia kur dëshmitarët nuk do të jenë më në jetë, ai mendon se ka mungesë vëmendjeje për botimin e dëshmive, studimeve dhe kujtimeve për periudhën e diktaturës. “Një neglizhencë e pajustifikuar dhe e padrejtë. Ne kemi nevojë për më shumë libra, studime dhe vëmendje”, thotë ai.