Operimi i linjës të pasagjerëve në segmentin hekurudhor Tiranë-Durrës do të realizohet përmes një kontrate shërbimi.
Sipas një artikulli të publikuar nga Gazeta Hekurudhore Ndërkombëtare, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me programin CONNECTA2 të financuar nga Bashkimi Europian, po punon për një kontratë shërbimi që do të mundësojë operimin e trenave të pasagjerëve në linjën hekurudhore Tiranë-Durrës.
Ky projekt është pjesë e një iniciative më të gjerë për të modernizuar transportin hekurudhor në Shqipëri dhe për ta përafruar atë me standardet e Bashkimit Europian, si pjesë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Një nga hapat kryesorë është ristrukturimi i hekurudhës shtetërore, HSH dhe krijimi i një menaxhimi të veçantë për rrjetin prej 677 km.
Për të siguruar një proces transparent dhe konkurrues, Ministria ka nisur një konsultim paraprak me tregun, për të vlerësuar interesin e operatorëve të mundshëm dhe për të marrë reagime që do të ndihmojnë në hartimin e procedurave të tenderimit.
Operatorët që do të marrin pjesë në tender do të kenë mundësinë të hyjnë në një treg në rritje, me mbështetje të fortë nga qeveria dhe Bashkimi Europian. Kjo do të krijojë mundësi për përfitime afatgjata, si dhe mundësinë për të zgjeruar shërbimet hekurudhore ndërkufitare.
Linjat hekurudhore do të modernizohen për të mundësuar funksionimin me shpejtësi deri në 120 km/h, duke përdorur një sistem të avancuar ETCS (European Train Control System) të Nivelit 1, me mundësinë për një përmirësim të mundshëm në Nivelin 2 në të ardhmen. Po ashtu, është parashikuar elektrifikimi i linjës me 25 kV 50 Hz.
Shërbimi do të operojë fillimisht në korridorin Tiranë – Durrës – Aeroporti Ndërkombëtar i Durrësit, me mundësi zgjerimi në të ardhmen në Han të Hotit, në kufi me Malin e Zi, dhe në Pogradec, në kufi me Maqedoninë e Veriut. Parashikohet që shërbimet e pasagjerëve të arrijnë rreth 1.1 milion kilometra tren në vitin 2026 dhe të rriten në 4 milionë kilometra tren deri në vitin 2036.
Operatori i përzgjedhur do të duhet të sigurojë dhe mundësisht mirëmbajë mjetet lëvizëse të reja, të përdorura ose të dhëna me qira, dhe mund t’i kërkohet gjithashtu mbledhja e tarifave për shërbimet.
Kohëzgjatja e kontratës dhe modeli i shpërblimit do të përcaktohen pas konsultimit të tregut, duke marrë parasysh ciklet e jetës së mjeteve dhe kostot e mobilizimit.
Procedura e prokurimit do hapet brenda 6-mujorit të dytë 2025.