Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot punimet për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, një projekt i mbështetur nga fondet e Bashkimit Europian. Balluku informoi se BERZH ka dhënë një kredi prej 70 milionë euro, 50% e të cilës është grant dhe 50% kredi. “Ky projekt ka nisur prej kohësh por ka dashur një kohë të gjatë të vihet në jetë, pasi duhen respektuar procedurat. Kjo hekurudhë nuk është thjesht mjet transporti, por krijon një mentalitet të ri të të udhëtuarit që ka të bëjë me sjelljen miqësisht ndaj ambientit duke ulur përdorimin e automjeteve. Kjo është dallëndyshja e parë në industrinë e hekurudhës”, tha Balluku. Sipas saj, hekurudha është e gjatë 39 km, ku 34 km i përkasin gjurmës ekzistuese Tiranë-Durrës, që po rindërtohet e modernizohet dhe 5 km janë gjurmë e re nga ‘Megatek’ deri në aeroportin e Rinasit. Balluku tha se distanca nga qendra e Tiranës deri në aeroportin e Rinasit do të përshkohet për vetëm 12 minuta, ndërsa udhëtimi Tiranë-Durrës do të zgjasë 22 minuta. “Kjo është fantastike duke pasur parasysh trafikun drejt Rinasit. Hekurudha do të jetë zgjidhja më e mirë se si do shkohet në aeroport apo drejt Durrësit”, tha ajo. Balluku theksoi se aktualisht projekti përfshin modernizimin e gjurmës aktuale, ndërsa ndërtimi i stacioneve e vendqëndrimeve përgjatë hekurudhës do të financohet në një paketë të dytë, për të cilën do të aplikohet te BERZH. “Ka disa pjesë ky proces. Kontrata aplikohet për herë të parë për sa i përket hekurudhave sipas modelit ‘projekto dhe ndërto’. Procesi është bërë përmes një gare ndërkombëtare të hapur që ka pasur një screening shumë të madh të të gjitha kompanive që kanë marrë pjesë”, tha ajo. Balluku theksoi se është punuar po ashtu edhe për procesin e shpronësimeve. “Procesi është bërë në mënyrë shumë të rregullt sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve që kemi me BERZH. Durrësi konsiderohet nyja më e rëndësishme, pasi prej Durrësit do të nisen rrugët e tjera hekurudhore që kanë të bëjnë me Korridorin 8. Kemi aplikime për pjesët e tjera të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë apo Rrogozhinë-Pogradec për të pasur një ndërlidhje me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë”, tha Balluku. Ministrja informoi po ashtu se kanë nisur përgatitjet për një projekt shumë më të madh, që ka të bëjë me hekurudhën Vorë-Hani i Hotit.https://ata.gov.al/2022/12/19/balluku-hekurudha-e-re-distanca-tirane-durres-22-minuta/