Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në aktivitetin e parë publik për hapjen e thirrjes për investime në efiçiencë për ndërtesat e banimit social, në kuadër të Pakos Emergjente të Bashkimit Evropian, dhe ku të ftuar ishin edhe kryetarët e komunave. Fjalën e tij Kurti e nisi duke thënë se për më shumë se një vit po jetojmë në një kontinent të ndryshuar ku pasojat e agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë kanë tejkaluar kufijtë dhe janë shtrirë në gjithë Evropën. Këto pasoja siç tha më tej ai, nuk kanë cenuar vetëm vlerat e përbashkëta të kontinentit për liri dhe demokraci, mirëpo edhe shtyllat e mirëqenies tonë si, zhvillimi ekonomik e siguria energjetike. “Rruga drejt së cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokratë, të cilët e përdorin për interesa të ngushta e në dëm të të përgjithshmes pikërisht këtë krizë energjetike të Evropës’’, u shpreh kryeministri. Teksa foli në lidhje me këtë situatë, i pari i ekzekutivit, tha se kjo krizë ka rezultuar gjithashtu në një solidaritet drejt një sektori energjetik më të bashkuar e më të fortë, për Evropën si tërësi, por edhe për Ballkanin Perëndimor. Njëkohësisht, kryeministri tha se ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë euro për Kosovën për ballafaqimin me krizën energjetike është jetësim i kërkesave tona e i përkrahjes së Bashkimit Evropian për sektorin tonë energjetik. Në këtë aktivitet, ai përmendi masat e Qeverisë, ku mbi 9,000 familjeve iu janë subvencionuar blerjet e pajisjeve efiçiente për ngrohje gjatë muajve të dimrit, e po ashtu janë mbështetur në veçanti përfituesit e asistencës sociale, si dhe për herë të parë u është dhënë mbështetje e veçantë nënave vetë-ushqyese. “Krahas kësaj, për të nxitur kursimin e energjisë e për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, me mbi 120 milionë eurot e ndara Qeveria ka subvencionuar direkt faturat e energjisë elektrike për 208 mijë familje kursimtare dhe njëkohësisht janë subvencionuar tarifat e reja për secilën familje dhe biznes në vend që nga shkurti i vitit 2022”, theksoi Kurti. Ai tha se falë mbështetjes e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, këto masa të dëshmuara po i shumëfishojmë e ashtu edhe përfitimet për qytetarët e për bizneset e vendit tonë. Nga ana tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se në kuadër të planit emergjent prej 75 milionë euro që përkrahet nga Bashkimi Evropian, Ministria e Ekonomisë që nga ky vit do të fillojë zbatimin e masave për masat e efiçiencës së energjisë, që kapin vlerën prej 15 milionë euro. Për këtë grup, tha më tej ajo, kemi sektorin rezidencial dhe ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme, për sektorin rezidencial, pra për familjet do t’i subvencionojmë pajisjet ngrohëse efiçiente, siç kemi bërë edhe vitin e kaluar, duke përfshirë këtu klimat / inventarët, kaldajat, stufat, një vazhdimësi e thirrjes së kaluar duke reflektuar në nevojat e qytetarëve, pajisjet efiçiente të tjera shtëpiake, që kanë potencial për kursim të energjisë, siç janë frigoriferët e të tjera dhe sistemet solare fotovoltaike dhe solare termike për ngrohje të ujit. Ndërkaq, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke folur për pakot mbështetëse nga Qeveria për qytetarin, tha se deri në fund të muajit shkurt nga familjet që kanë përfituar nga ky subvencionim, janë kursyer rreth 357 gigawat orë energji elektrike. ‘’Nëse merret një çmim i përafërt apo mesatar i kostos së importit përgjatë kësaj periudhe del që së paku 70 milionë euro import janë kursyer që konsiderojmë që megjithatë ka pasur një kthim mjaftë të mirë në investimin që e kemi bërë si qeveri, por edhe BE-ja në këtë rast për të mbuluar dhe për të vazhduar subvencionimin e kësaj mase’’, tha ai. RTK
Hapet thirrja publike për Komunat për masat e Efiçiencës së Energjisë
RELATED ARTICLES