Rruga e re alternative, që lidh kthesën e Kasharit me aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, u hap sot për qarkullimin e automjeteve. Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, inspektoi sot këtë rrugë, e cila është realizuar me të gjitha standardet dhe elementet e sigurisë rrugore dhe lehtëson qarkullimin e mjeteve në hyrje-dalje të terminalit. Balluku tha se “aeroporti i Rinasit pas ndryshimit të koncesionarit dhe duke pasur një plan të ri biznesi, tashmë ka pësuar një ndryshim të madh. Kemi fluturime që kalojnë mbi 26 mijë për 10 muajt e parë të vitit dhe në fund të vitit pritet të ketë 38 mijë. Numri i pasagjerëve ka arritur në 4.4 milionë deri në 30 tetor. Duke pasur parasysh trendin parashikojmë që deri në fund të vitit të kemi 5.2 milionë pasagjerë. Në 2019 kemi pasur 3.2 milionë pasagjerë. Duke pasur parasysh sa është rritur ky numër në këto 3 vite nevoja për infrastrukturë të re jo vetëm brenda aeroportit, por edhe mbështetëse është shumë e nevojshme”. “Aeroporti i Rinasit është një nga dy aeroportet me rritje, i kuotuar nga Eurocontrol ndryshe nga aeroportet e tjerë që kanë pasur rënie, edhe për shkak të problematikave që ka sjellë kriza ekonomike. Ne jemi përgjigjur me këtë infrastrukturë duhet pasur parasysh nga ana e koncesionarit që të kenë kujdes me pjesën e parkingut, pasi gjendja është pak kaotike. Automjetet janë të shtuara. Në një ditë rruga akomodon 22 mijë pasagjerë që vijnë nga Tirana apo veriu për të shkuar në Rinas”, tha Balluku. Drejtori i ARRSH-së, Ervis Berberi tha se “në të dyja anët e rrugës kanë filluar të krijohen biznese edhe parkinge të tjera për t’i ardhur në ndihmë fluksit të lartë të trafikut”. Në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit ulen dhe ngrihen mesatarisht 104 avionë në ditë. Rritja e fluksit të fluturimeve ka shtuar trafikun në aksin rrugor drejt Rinasit, duke u bërë jo rrallëherë edhe pengesë për kapjen e orareve të fluturimeve nga ana e pasagjerëve.https://ata.gov.al/2022/12/02/hapet-rruga-e-re-drejt-rinasit-balluku-pergjigje-infrastrukturore-shifrave-ne-rritje-te-aeroportit/