Hapet konkursi për logon e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut

0
4

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, përmes rrjeteve sociale, njofton se është çelur konkursi për krijimin e logos për 80-vjetorin e Çlirimit të Atdheut. Peleshi thekson se konkursi do të jetë i hapur deri më 22 mars. “Shfaqni talentin tuaj duke krijuar logon për 80-vjetorin e Çlirimit të Atdheut! Merrni pjesë në konkurs dhe jepni kontributin tuaj në krijimin e një simboli të veçantë për këtë ngjarje historike. Afati i fundit për aplikimet është deri më 22 mars”, shkruan Peleshi. Ministri i Mbrojtjes po ashtu njofton dhe adresën elektronike ku të interesuarit mund të paraqesin aplikimin e tyre. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit së Republikës së Shqipërisë ka dhënë në faqen e saj elektronike informacione mbi konkursin. “Synimi i realizimit të kësaj “Logo”, në kremtim të 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, duhet të jetë pasqyrimi i një konfiguracioni simbolik, si një krijim origjinal në përmbajtje dhe në formë. Logoja për 80-vjetorin e Çlirimit, do të shoqërojë evenimentet zyrtare dhe shkresat protokollare të Institucioneve Qendrore Shtetërore, si pjesë identifikuese e festimeve”, bën të ditur Ministria e Ekonomisë. “Në konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë studentë, artistë dhe krijues në fushën e arteve pamore. Artisti pjesëmarrës në konkurs duhet të dorëzojë punimin dhe dokumentacionin e aplikimit: Me ngjyra, i printuar dhe të dorëzohet te Zyra e Protokollit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Në formë elektronike te adresa elektronike [email protected] (Logo duhet të paraqitet në sfond të bardhë, të zi dhe me ngjyrë, si dhe të dorëzohet në formatet Eps, Pdf, Jpg, Png). Dokumentacioni i Aplikimit: Kartë identiteti (jpg/pdf) dhe CV (word/pdf)”, lexohet në faqen e Ministrisë së Ekonomisë “Punimet duhet të jenë origjinale, të papublikuara më parë dhe autori mban përgjegjësi ligjore për autenticitetin e tyre para ligjit. Në konkurs pranohen punime individuale dhe punime të realizuara në grup. Punimi i Logos, së 80-Vjetorit te Çlirimit, duhet të jetë shprehje artistike figurative, ose grafike. Mungesa e një, ose më shumë dokumenteve të kërkuar më sipër, nuk ju kualifikon në konkurs. Për çdo projekt i cili nuk do të shpallet fitues, sqarojmë se asnjë prej tyre nuk do të publikohet apo përdoret nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Çdo punim do të ruhet me kujdes dhe respekt për të drejtat e autorit”, saktësohet më tej. “Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të realizojë të gjithë procesin e realizimit të konkursit për përzgjedhjen e Logos Fituese. Vlerësimi artistik i Çmimit Fitues është 300.000 lekë, ku përfshihet dhe taksa e aplikueshme sipas legjislacionit në fuqi”, përfundon informacioni i publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Ekonomisë.