Qendra Kombëtare e Kinematografisë fton shtëpitë filmike shqiptare të paraqesin veprat e tyre, prej nga do të përzgjidhet kandidatura shqiptare, në kategorinë International Feature Film, për edicionin e 96-të të Çmimeve OSCAR. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se çmimet do të akordohen nga The Academy of Motion Picture Arts and Sciences më 10 mars 2024. Në këtë kategori, mund të marrin pjesë filma artistikë, dokumentarë dhe vizatimorë. Filmi duhet të jenë i gjatë mbi 40 minuta dhe duhet të ketë bërë premierën në Shqipëri, jo më herët se 1 dhjetor 2022 dhe jo më vonë se 31 tetor 2023. Po ashtu, filmi duhet të jetë shfaqur ose të shfaqet komercialisht në kinema në Shqipëri, brenda datave të mësipërme për të paktën 7 ditë rresht. Filmi duhet të përmbajë të paktën 50% dialog në gjuhën shqipe, si dhe duhet të jetë bërë me të paktën 50%, aktorë dhe staf shqiptar. Afati për dërgimin e materialeve nga producenti i filmit të përzgjedhur në zyrat e AMPAS është 2 tetor 2023.